‘Baleti Kombëtar i Kosovës’ ashtu sikur shumë institucione kulturore në vend për shkak të pandemisë, po vazhdojnë me transmetimin e shfaqjeve online, në platforma të ndryshme të rrjeteve sociale. Këtë të enjte (21.05), duke filluar nga ora 19:00, do të keni mundësi të shikoni online shfaqjen ‘O.Taka’, nën koreografinë dhe muzikën e balerinit, Sinan Kajtazi.
Në një intervistë për Radio KFOR-in balerini Kajtazi, tregoi më shumë për magjinë e kësaj shfaqje të famshme, që do të jetësohet sërish në skenë por këtë herë nga një format krejtësisht ndryshe: “Shfaqja ‘O.Taka’, është një balet modern në aspektin koreografik, libretin e së cilës e kam krijuar mbi historinë e famshme të valltarit, Osman Taka. Shfaqja në vete ngërthen skena kryesisht masive, ku përmes muzikës ritmike në formë rituali, e përcjellë me tinguj fraza të herë pas hershme të melosit të muzikës, duke përcjellë te publiku, dëshirën e pasionin e Osmanit për vallëzimin. Tragjedia e O.Takes, është reflektim ndaj trajtimit të balerinëve në vendin tonë, të cilët artin e tyre prej vitesh e zhvillojnë në podrumin e Teatrit Kombëtar, në kushte tmerrësisht të këqija. Kjo është bërthama e shfaqjes O.Taka, e cila sigurisht se duke qenë një shfaqje baleti, publiku po ashtu ka mundësi të ushqej edhe syrin nga ana vizuale, përmes kërcimit fantastik të balerinëve tonë, mirëpo të ushqejnë edhe veshët me muzikë, të cilën ia kam krijuar kësaj shfaqje.”
Në këtë shfaqje luajnë balerinët: Fatmir Smani, Mërgime Morina, Luljeta Ademi, Jeta Musolli, Aulonë Nuhiu, Abetare Hyseni dhe balerinë të tjerë, nën kostumografinë e Vesa Krajës.