“Çdo pemë e gjelbër është shumë më e lavdishme, sesa të ishte prej ari apo argjendi”, është një ndër mijëra thëniet që përkufizojnë rëndësinë thelbësore që kanë pyjet dhe ambienti i gjelbëruar, në jetën e të gjitha gjallesave në Tokë, mirëpo mbrojtja e ambientit të planetit tonë, sa vjen e rritet si nevojë dhe bëhet e domosdoshme. Andaj, Kombet e Bashkuara në kalendarin vjetor numërojnë disa ditë të shënuara që kanë për qëllim mbrojtjen e natyrës. E tillë është edhe data e sotme, 17 qershor, që i është ndarë “Ditës Botërore Kundër Shkretëzimit dhe Thatësirës”. Shpyllëzimi, konsiderohet si një ndër faktorët kryesor të shkretëzimit dhe thatësirës. Por, fatmirësisht, Kosova nuk përballet me shpyllëzim, kështu thotë Inxhinieri i Pylltarisë, i cili tash e 22 vite ushtron këtë profesion në institucione ndërkombëtare dhe vendore, z. Kemal Kadriu, i cili në një intervistë për Radio KFOR-in thotë se pyjet janë një prej sektorëve më të rëndësishëm në ekonominë e vendit, qoftë në aspektin socio-ekonomik, qoftë në aspektin mjedisor: “Në raporte të shkruara, pastaj edhe në media hasi shpesh në shprehjen ‘shpyllëzim’. Shpyllëzime dhe degradime në Kosovë nuk ka, një dukuri e cila është shumë më e shprehur në vende të tjera të botës që ndërmarrin masa nga qeveritë për të hapë toka bujqësore. Prandaj, përdorimi i shprehjes shpyllëzim, në Kosovë nuk duhet të përdoret dhe unë po bazohem në raportin e fundit vjetor, të inventarizimit të pyjeve, që është bë në vitin 2013, ku rezulton që kemi vazhdimisht rritje të sipërfaqes pyjore për shkak të migrimit të popullatës. Në Kosovë kemi degradim të mjedisit, për shkak të prerjeve ilegale apo të pakontrolluara të pyjeve, por jo shpyllëzim.”
Përmes frekuencave të Radio KFOR-it z. Kadriu, bëri thirrje tek të gjithë që të mbrojmë ambientin: “Unë kam një kërkesë për të gjithë qytetarët tanë, familjet tona, fshatarët… dhe të gjithë kudo që jetojnë, të kenë kujdes gjatë rrugëtimit të tyre në hedhjen e çibukëve të cigareve sepse pikërisht këto, shpeshherë bëhen shkaktarë të zjarreve qoftë në kultura bujqësore, qoftë në kultura pyjore, kur njerëzit i bëjnë vizitat e tyre në hapësira të gjelbra, të mos e përdorin zjarrin, si mundësi për të përmbushur nevojat e tyre. Sipërfaqet bujqësore apo pyjore janë vlerë dhe dëmin në to, nuk mund ta rikuperojmë për 80 vjet. Ndryshe është në kulturat bujqësore, ku ne mund të fitojmë brenda një viti synimin që e kemi, në kulturat pyjore duhet një jetë e njeriut, që të arrijmë apo të shohim vlerën e atij pylli”, tha ndër të tjera z. Kadriu.