Organizata e Kombeve të Bashkuara datën e sotme, 23 prill, ia ka dedikuar “Gjuhës Angleze” dhe “Gjuhës Spanjolle”, dy nga gjashtë gjuhët zyrtare të saj. Kjo ditë synon të promovojë shumë gjuhësinë, dialogun ndërkulturor dhe rëndësinë e gjuhëve në komunikimin global. Data 23 prill, nuk është zgjedhur rastësisht. Për gjuhën angleze, ajo lidhet me jetën dhe veprën e William Shakespeare, një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë botërore. Ndërkohë, për gjuhën spanjolle, kjo datë përkon me përvjetorin e vdekjes së Miguel de Cervantes, autor i veprës së njohur Don Quixote (Don Kishoti), një nga romanet më të famshme në histori.
Gjuha angleze dhe ajo spanjolle kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në botë. Anglishtja konsiderohet si gjuha kryesore e komunikimit ndërkombëtar, ndërsa spanjishtja është ndër gjuhët më të folura globalisht, me qindra miliona folës në disa kontinente. Në një kohë globalizimi, ku komunikimi ndërkulturor është thelbësor, “Dita e Gjuhës Angleze” dhe “Dita e Gjuhës Spanjolle” në OKB mbetet një thirrje për respektimin e diversitetit dhe fuqizimin e dialogut përmes gjuhëve.







