Në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar, libri mbetet një simbol i dijes dhe reflektimit të thellë. Çdo vit më 23 prill, bota shënon ‘Ditën Botërore të librit dhe të Drejtave të Autorit’, kushtuar librave, autorëve dhe rëndësisë së mbrojtjes së të drejtave të autorit. Kjo datë nuk është zgjedhur rastësisht: ajo lidhet me figura të mëdha të letërsisë botërore, si William Shakespeare dhe Miguel de Cervantes, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën njerëzore.
Kjo ditë është një kujtesë e fuqishme për rolin që librat luajnë në zhvillimin personal dhe shoqëror. Librat nuk janë vetëm burim njohurie, por edhe një mënyrë për të udhëtuar në kohë dhe hapësirë, për të kuptuar kultura të ndryshme dhe për të zgjeruar horizontet tona mendore në fusha të ndryshme.
Një aspekt po aq i rëndësishëm i kësaj dite është respektimi i të drejtave të autorit. Mbrojtja e krijimeve intelektuale është thelbësore për të inkurajuar shkrimtarët, studiuesit dhe artistët që të vazhdojnë të krijojnë. Pa këtë mbrojtje, krijimtaria do të rrezikohej dhe vlera e punës intelektuale do të zbehej.
‘Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtave të Autorit’, është më shumë se një festë simbolike, ajo është një thirrje për të ruajtur dhe promovuar kulturën e leximit, sepse çdo libër i hapur është një derë drejt një bote të re.







