Përgjatë këtij muaji, në shënimin e 23 vjetorit të misionit të KFOR-it në Kosovë, të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it, kanë pasur mundësi që të njihen më për së afërmi me punën e punonjësve civil, të kësaj organizate.
Kontribut të madh në këtë mision, jep edhe ekipi civil, të cilët me dashuri dhe përgjegjësi të lartë, i shërbejnë KFOR-it. Mysafirja e radhës që ndau përvojën e punës së saj 22 vjeçare me KFOR-in, sot (17.06.22) në emisionin e mëngjesit, tek moderatorja Trëndelina Duli, ishte Asistentja e Menaxherit të Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it, znj. Mimoza Zhitia-Zogiani, e cila tha se kur punën e bënë me qejf, 22 vite kalojnë sikur 2 vite dhe shtoi: “Është nder për mua që jam punëtore e KFOR-it. 22 vjet janë kohë e gjatë, mirëpo kur puna bëhet me kënaqësi, kur e ke punën e mirë, kolektivin e mirë, respektin në punë, 22 vjet, të duken sikur 2 vjet. Kemi shumë kujtime nga kjo periudhë, por si ngjarje do e veçoja organizimin nga KFOR-i të ‘Summer Festival-it’, ku ne punonjësit civil, ftojmë familjarët tanë, që edhe ata të njihen me ambientin ku punojmë ne dhe sigurisht që të gjithë dalin të kënaqur nga kjo ngjarje, sidomos fëmijët. Punën time e bëj me shumë qejf, KFOR-i është këtu për t’na ndihmuar dhe sigurisht që edhe ne ju ndihmojmë, prandaj për mua do të thotë shumë që të kontribuoj në një mision paqësorë.”
Misioni paqeruajtës i KFOR-it në Kosovë, tash e 23 vite, me punën dhe përkushtimin e tyre kontribuon në sigurimin e paqes në Kosovë.