“Gjuha jonë sa e mirë, sa e ëmbël, sa e gjerë, sa e lehtë, sa e lirë, sa e bukur, sa e vlerë”, me këto vargje të bukura të poetit Naim Frashëri, ne e shënojmë sot (21.02.24), “Ditën Ndërkombëtare të Gjuhëve Amtare”, përkatësisht të gjuhës sonë shqipe. Kjo datë për gjuhët amtare, u miratua në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, në vitin 1999, që shënohet në të gjithë botën, që nga viti 2000.
Shoqëritë shumëgjuhëshe dhe multikulturore ekzistojnë përmes gjuhëve të tyre, të cilat transmetojnë dhe ruajnë njohuritë dhe kulturat tradicionale në mënyrë të qëndrueshme, duke ruajtur dallimet në kultura dhe gjuhë, që nxisin tolerancë dhe respekt për të tjerët.
Shumëllojshmëria gjuhësore po kërcënohet gjithnjë e më shumë pasi gjithnjë e më shumë gjuhë zhduken, ku vetëm në nivel global, 40 për qind e popullsisë nuk ka qasje në arsim, në një gjuhë që ata flasin ose e kuptojnë. Sot, rreth 250 milionë fëmijë dhe të rinj, ende nuk ndjekin shkollën dhe 763 milionë të rritur nuk zotërojnë aftësitë bazë të shkrim-leximit.
Tema e festimit të “Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare”, për këtë vit është “Arsimi shumëgjuhësh është një shtyllë e të mësuarit ndër breza”.