“Edukimi është arma më e fuqishme që mund ta përdorni për ta ndryshuar botën”, kjo thënie e nobelistit Nelson Mandela përshkruan më së miri rëndësinë e edukimit në një shoqëri.
Edukimi ndihmon zhvillimin e një shoqërie të fortë, demokratike dhe ekonomikisht të qëndrueshme, prandaj në një shoqëri multietnike, si kjo e jona, edukimi i barabartë është dëshmi e një shoqërie të shëndoshë e demokratike.
I kontaktuar nga Radio KFOR, profesori i Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës, Naser Zabeli, flet për luftimin e diskriminimit përmes edukimit të një shoqërie:
“Në çdo shoqëri demokratike, koncept kyç i formimit të një personaliteti të ardhshëm, është barazia. Edukimi për barazi nënkupton edukimin e të gjithëve pa dallim besimi, pa dallim kombi, pa dallim gjinie, pa dallim të statusit ekonomik e social, pa dallim të racës, pa dallim të diversiteteve, pavarësisht qofshin ato të natyrës fizike, psikike e kështu me radhë. Prandaj, edukimi për barazi buron nga e drejta e njeriut për të qenë i barabartë, është një premisë njerëzore, është diçka e patjetërsueshme që i takon secilit individ, në çfarëdo shoqërie qoftë ai. Nëse i referohemi shoqërisë tonë në përgjithësi, ne mund të flasim për një zhvillim pozitiv këto viteve, dekadave të fundit për edukimin e barabartë”, kështu tha zotëri Zabeli dhe më tutje shtoi se edukimi, akoma më i rëndësishëm është për fëmijët, sepse ata janë e ardhmja e botës.
“Edukimi si proces nis që nga lindja dhe është shumë i rëndësishëm si proces, në fëmijërinë e hershme në çdo shoqëri, prandaj jo rastësisht vendet e zhvilluara i japin rol të rëndësishëm sidomos formimit të fëmijës në fëmijërinë e hershme, nëpër institucione parashkollore e të tjera, duke i vënë kështu bazat, themelet e një zhvillimi të shëndoshë të personalitetit”.
Përmes edukimit, ju mund ta bëni botën një vend më të mirë për të jetuar.