‘Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist’, që ka për qëllim avancimin e barazisë gjinore ka organizuar një aktivitet ku do të diskutohen idetë dhe alternativat anarkiste për barazi gjinore, përmes leximit të shkrimeve të feminists, Emma Goldman.
Ky aktivitet do të mbahet në hapësirat e ‘Fondacionit Shtatëmbëdhjetë’, sot (29 gusht) duke filluar nga ora 17:30.
Radio KFOR-i kontaktoi me organizatorët e këtij kolektivi, të cilët na treguan më shumë për këtë aktivitet, duke treguar edhe për qëllimin e organizimeve të tyre:
“Grupi mbi leximet feministe që është një nga fushat kryesore të veprimtarisë së Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, synon avancimin e njohurive mbi feminizmin dhe bazohet mbi angazhimin vullnetarë të anëtarëve për lexime dhe diskutime. Grupi funksionon mbi parimin e shqyrtimit të teorive feministe nga konteksti historik dhe diferencimi ideologjik. Deri tani, grupi ka mbajtur katër takime, ku janë lexuar dhe diskutuar artikuj, si: hyrje në valët e lëvizjeve feministe dhe përmbledhje të shkrimeve të feminizmit liberal të fillimit të shek. XX”
‘Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist’, është grup i përbërë nga aktivistë feministë që synon avancimin e idealeve të barazisë gjinore përmes teorisë dhe praktikës feministe, i krijuar mbi parimin e ndërthurjes dhe promovimin e barazisë shoqërore lokale dhe globale.