Djegia e fushave pas korrjes është rreptësishtë e ndaluar dhe karakterizohet si vepër penale që shkakton rrezik të përgjithshëm. Çdo vit digjen shumë hektarë pyje, e zakonisht shkaktar i zjarrit është faktori njerëzor, pra djegia e pakontrolluar.
Njohës i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), z. Tahir Ahmeti tregoi për Radio KFOR-in lidhur me rreziqet natyrore që i kanosen vendit tonë, në rast të zjarr vënies: “Nga hulumtimet dhe analizat e ndryshme të bëra, por edhe duke u bazuar në raportet e publikuara nga institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare, Kosova kryesisht rrezikohet nga tri rreziqe natyrore: tërmetet, vërshimet dhe zjarret e pyjeve. Një zjarrfikës si reagues i parë, kujdeset përafërsisht për 2.300 banorë, por në bazë të ‘Ligjit për Zjarr Fikje dhe Shpëtim’, një zjarrfikës duhet të jetë përgjegjës për 1.500 banorë. I vogël është edhe numri i automjeteve të zjarrfikësve, një automjet është për 10.000 banorë, e mos të flasim për gjendjen teknike të atyre automjeteve dhe gjendjen aktuale të mjeteve dhe pajisjeve për punë, të cilat janë larg standardeve minimale.”
Djegia e kashtës, nuk shërben për asnjë qëllim të dobishëm dhe vetëm dëmton prodhuesit bujqësorë. Zjarri shkatërron të gjithë shtresën pjellore të tokës që nevojitet për të prodhuar të korrat e vitit të ardhshëm, duke kërkuar kosto shtesë prodhimi.