Aktivitete të shumta pritet që të mbahen në Kosovë edhe në ditët në vazhdim, e Radio KFOR-i ju sjell sot disa prej këtyre ngjarjeve kulturore. E fillojmë ciceronin kulturor me ngjarjen e datës 13 gusht, ku nga dita e djeshme e deri më 20 gusht të këtij viti, në etno-kompleksin e Fshatit Kukaj, po mbahet edicioni 13-të, i Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale ‘Etno Fest’. Edhe edicioni i sivjetmë do të përmbaj shfaqje teatrale, poezi, muzikë, etno-performanca kontemporane dhe baleti, vepra arti, e shumëçka tjetër.
Me 21 gusht, në qytetin e Prizrenit, në American Corner, në Prizren do të organizohet programi “Summer School Program – English Language Skills”, në Bibliotekën e Prizrenit. Qëllimi i këtij organizimi, do të jetë përmirësimi i aftësive të gjuhës angleze dhe socializimi i të rinjve nga të gjitha komunitetet që jetojnë në qytetin e Prizrenit, përfshirë edhe të rinjtë apo fëmijët me nevoja të veçanta. Pjesëmarrës në këtë aktivitet mund të jenë fëmijët e moshës 10 deri në 14 vjeç.
Edhe muaji shtator, fillon me aktivitete të ndryshme në vend. Edicioni i sivjetmë i Festivalit të rrushit, “Hardh Fest” është shumë afër dhe do të mbahet përgjatë datave 1, 2 dhe 3 shtator, ku përgjatë këtyre tre ditëve, secili mund të gjejë veten në aktivitetet e shumta që ofron ky festival. Çdo vit, ky festival përcakton një temë me të cilën shënohet ‘Hardh Fest’, e këtë vit slogani thotë ‘Prek n’rrush, shijo n’ven’. Koncepti i sloganit të sivjetshëm, qëndron në thirrjen e festivalit për turistët vendorë dhe ndërkombëtarë, që të shkojnë dhe të prekin historinë mijëvjeçare të hardhisë së rrushit në Rahovec, të prekin vet hardhinë e kultivuar nga vreshtarët, të prekin gjethen me formën e saj autentike, që është edhe pjese e identitet vizual të festivalit si dhe të prekin rrushin e ta shijojnë atë!
Po në fillim të shtatorit, nga data 8 e deri më 10 shtator, 2023, Gjakova do të jetë nikoqire e festivalit ‘Gjakova Beerfest’, që do të mbahet në parkun e qytetit. Festivali premton program shumë të pasur artistik dhe shumë lloje të birrave përgjatë këtyre tre ditëve.
Tetori e gjen kryeqytetin me maratonën e ‘Race of the cure’, që njëherit është ngjarja më e madhe në botë e ecjes dhe vrapimit kundër kancerit të gjirit. ‘Race for the Cure – Prishtina 2023’ do të mbahet më 1 tetor dhe vjen si organizim i Drejtorisë së Shëndetësisë së Komunës së Prishtinës në bashkëpunim me OJQ-në Renesansa. Në këtë organizim do të ketë shumë pjesëmarrës, të cilët do të kontribuojnë në ndërgjegjësimin rreth kancerit të gjirit. Kampanja në fjalë, ka për qëllim të bëjë sensibilizimin e qytetarëve mbi kancerin e gjirit dhe rëndësisë së kontrolleve të hershme, të cilat ndihmojnë në diagnostikimin e hershëm të kësaj sëmundje. Për t’u regjistruar në ‘Race for the Cure’, të interesuarit mund të klikojnë në vegëzën: https://www.raceforthecure.eu/en/