Nuk na nevojiten shumë fjalë për të treguar se sa e rëndësishme është të jemi njerëzor. Një buzëqeshje, një fjalë e mirë, një dorë e zgjatur apo pak kohë kushtuar dikujt, ndonjëherë vlejnë më shumë sesa gjërat e mëdha që bëjmë. Sot, më 13 nëntor shënojmë “Ditën Botërore të Mirësisë”, një ditë që na kujton rëndësinë e kujdesit, respektit dhe solidaritetit në marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Në një kohë kur përditshmëria shpesh na mban të zënë, kur nxitimi dhe problemet personale na bëjnë të harrojmë njerëzit përreth, kjo ditë vjen si një kujtesë e thjeshtë: mirësia nuk kushton asgjë, por mund të ketë një vlerë të jashtëzakonshme për dikë tjetër. Nuk është e thënë të bëjmë gjëra të mëdha për të ndryshuar ditën e dikujt. Mjafton ta dëgjojmë një person që ka nevojë të flasë, ta ndihmojmë dikë pa pritur asgjë në këmbim, të tregojmë mirëkuptim apo thjesht të mos jemi indiferentë ndaj vështirësive të të tjerëve.
Sepse mirësia nuk duhet të kufizohet vetëm te mënyra se si sillemi me njëri-tjetrin. Ajo duhet të reflektohet edhe në raportin tonë me natyrën, me kafshët dhe me çdo qenie të gjallë që na rrethon. Të kujdesemi për mjedisin, të mos lëndojmë kafshët, të mbrojmë jetën dhe të tregojmë respekt për gjithçka që na rrethon, janë po ashtu forma të rëndësishme të mirësisë. Në fund të fundit, të jesh i mirë nuk do të thotë vetëm të bësh dikë të buzëqeshë, por edhe të lësh pas vetes më pak dhimbje dhe më shumë kujdes për botën ku jetojmë.
Le ta bëjmë mirësinë pjesë të përditshmërisë sonë, jo vetëm ndaj njerëzve, por ndaj çdo forme jete. Sepse një botë më e mirë ndërtohet pikërisht nga këto gjeste të vogla, por me vlerë të madhe.







