Data e sotme, 5 dhjetori, shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Dheut (Tokës)’, një ditë për të përqendruar vëmendjen në rëndësinë e tokës së shëndetshme dhe për të avokuar për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve të tokës. Për të shënuar rëndësinë e kësaj dite, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me drejtorin e ‘Institutit Bujqësor të Kosovës’, Fehmi Geci, i cili solli informacione të shumta rreth kualitetit të tokave bujqësore në Kosovë, cilësisë për mbjellje dhe faktorëve nga të cilët rrezikohet cilësia e tokës.
Z. Geci, po ashtu tregoi se Instituti Bujqësor i Kosovës, në vitin 2016, ka hartuar Programin për Inventarizimin e tokave bujqësore, program ky që siguron krijimin e Bazës së të Dhënave Shkencore për tokën, ujin për ujitje, vegjetacionin dhe dëmtuesit karantinor të bimëve, që jetojnë në tokë. Më poshtë mund të lexoni intervistën me z. Fehmi Geci:
Radio KFOR: A posedon Kosova tokë kualitative bujqësore dhe si qëndrojmë në këtë aspekt?
Z. Geci: Bazuar në pozitën gjeografike dhe larmisë së nivelit mbidetar prej 380 m deri mbi 2650 m si dhe prezencës së lumenjve, Kosova posedon toka me potencial të lartë prodhues (bonitet), mirëpo këto toka duhet të përkufizohen dhe ligjërisht të mbrohen nga çdo kërcënim edhe në raport me konkurrencën e sektorëve të lartcekur. Tokat cilësore dhe me potencial të lartë prodhues, kryesisht shtrihen përgjatë luginave të lumenjve dhe njihen si toka aluviale, kurse në vendet kodrinore malore janë të pasura me toka argjilore. Kosova gjithashtu posedon toka të mira edhe në kushte bjeshke.
Radio KFOR: Nga cilët faktorë dëmtohet toka dhe cilësia e saj për mbjellje?
Z. Geci: Tokat dëmtohen nga ndikimet e faktorëve klimatik, sikurse është erozioni i tokës dhe konsiderohet se Kosova përmes lumenjve humb sasi të mëdha humusi, në vlerën qindra mijëra m3 për vit dhe nëse kësaj humbje i shtojmë efektet e shkaktuara nga faktori njeri, përmes shfrytëzimit të zhavorrit të lumenjve, humbjet e sipërfaqeve tokësore dhe të humusit janë me përmasa milionëshe m3.
Tokat bujqësore dëmtohen si rezultat i kontaminimit që vije nga:
– Përdorimi jo adekuat i plehrave dhe pesticideve,
– Lirimi gazrave dhe ujërave industriale,
– Përmbytjet,
– Djegia e materieve organike në natyrë,
– Rrezatimi natyror si dhe vet gjeneza e tokës (përmbajtja e nivelit të lart të metaleve të rënda).
Dëmtimi i tokave bujqësore shkaktohet edhe nga kultivimi i një trajtshëm i kulturave bujqësore, që nënkupton mungesën e qarkullimit bimor në toka të caktuara. Po ashtu, ndikimit të teknikave adekuate të ujitjeve të tokave bujqësore, si faktor esencial për dëmtimin e tokave bujqësore.
Radio KFOR: Për çfarë kultura bujqësore është e përshtatshme toka e Kosovës?
Z. Geci: Tokat e Kosovës posedojnë një larmi të madhe të diversitetit të vegjetacionit natyror dhe si rezultat i këtij diversiteti, sot kemi rritjen e eksportit si rezultat i tregtimit të frutave të malit dhe bimëve mjekuese e aromatike në tregje, jo vetëm në vendet e zhvilluara të BE-së.
Gjithashtu, kushtet klimatike-tokësore të Kosovës mundësojnë diversitet të larmishëm të vegjetacionit kultivues dhe mundësojnë organizimin e prodhimtarisë industriale për drithëra, perime, patate, pemë të imta, pemë frutore, pemë arrore, hardhi të rrushit si dhe mundësojnë organizimin e prodhimtarisë organike.
Tokat e Kosovës janë të pasura me masive të dolomitit, që përdorët për kalcifikimin e tokave acidike, ndërsa rezervatet humusore në kushte bjeshke janë pasuri e çmuar kombëtare. Prandaj në rastin e vlerësimit të vlerës kultivuese dhe ndikimit të ambientit jetësor të tokës, me të drejtë vijmë në kolaudim, se sipërfaqet e tokave të Kosovës janë më të pasura sesa pasuritë nëntokësore.