Artistja, dizajnerja dhe profesoresha në Fakultetin e Artit dhe Dizajnit, Arbresha Hoxha, do të përfaqësojë krijimtarinë e saj në tri ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare të artit bashkëkohor gjatë vitit 2026, duke promovuar artin shqiptar para audiencave globale.
Më 27 dhe 28 qershor 2026, ajo do të marrë pjesë në një ekspozitë ndërkombëtare të arteve pamore në Vjenë të Austrisë, ku do të prezantojë veprat e saj krahas artistëve nga vende të ndryshme, në një platformë që synon të nxisë dialogun kulturor dhe shkëmbimin e ideve artistike.
Pas kësaj, në muajin korrik, veprat e saj do të ekspozohen në Barcelona Contemporary Art Exhibition 2026 në Barcelonë. Ky aktivitet do t’i ofrojë mundësi për bashkëpunime të reja profesionale dhe kontakte me artistë, kuratorë dhe institucione kulturore ndërkombëtare.
Një tjetër paraqitje e rëndësishme do të jetë në Times Square Billboard Showcase në New York City, ku krijimtaria e saj do të prezantohet në një nga hapësirat publike më të njohura në botë, duke arritur një audiencë të gjerë ndërkombëtare.
Pjesëmarrja në këto ngjarje konfirmon angazhimin e vazhdueshëm të Arbresha Hoxhës, për zhvillimin e praktikës së saj artistike dhe për promovimin e artit bashkëkohor shqiptar në skenën ndërkombëtare. Përmes këtyre paraqitjeve, ajo kontribuon në forcimin e shkëmbimit kulturor dhe në prezantimin e vlerave artistike shqiptare në nivel global.







