Sipas të dhënave të OKB-së, ushqimi i kontaminuar me baktere, viruse, parazitë apo substanca kimike shkakton qindra miliona raste të sëmundjeve çdo vit globalisht, duke prekur veçanërisht grupet më të ndjeshme, siç janë fëmijët dhe popujt në zhvillim.
Prandaj data e sotme 7 qershor, shënon ‘Ditën Botërore të Sigurisë Ushqimore’, e cila synon të tërheqë vëmendjen dhe të nxisë veprime konkrete për parandalimin, zbulimin dhe menaxhimin e rreziqeve që vijnë nga ushqimi i pasigurt.
E themeluar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (WHO) dhe Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), kjo ditë shërben si një platformë globale për të kujtuar se siguria ushqimore është përgjegjësi e të gjithëve, duke filluar nga prodhuesit dhe rregullatorët, e deri te konsumatorët e fundit.
Përmes kësaj dite, bëhet thirrje për transformimin e sistemeve ushqimore me synim përmirësimin e shëndetit publik dhe garantimin e qëndrueshmërisë ekonomike.







