Projekti me artistët adoleshentë të klubit ARTTEEN, i realizuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës, në kuadër të Programit të Edukimit dhe mbështetur nga KUSA ( Kosovo United States Alumni), përmbyllet sonte (29 gusht), përmes ekspozitës “Arti në mbrojtje të ambientit”, që fillon në ora 19:00, në GKK.
Të rinjtë pjesëmarrës të kësaj ekspozite, përmes artit janë përpjekur që të shfaqin brengat e tyre për ambientin dhe të propozojnë zgjidhje për ruajtjen e mjedisit.
Projekti kishte për qëllim që të mbledhë adoleshentët e talentuar në arte vizuale dhe së bashku me ta të punojnë në mediume të ndryshme të artit visual dhe ky është viti i dytë i konkretizimit të këtij projekti.
Veprat e artit të punuara nga pjesëmarrësit do të jenë kampanjë për vetëdijesimin e gjeneratave të reja për reduktimin, zëvendësimin dhe riciklimin e mbeturinave.
Pjesëmarrësit respektiv kanë pasqyruar gjendjen aktuale të ndotjes në vend dhe njëkohësisht kanë shprehur dëshirën e tyre për të jetuar në një ambient të pastër.