Pneumonia shkakton inflamacion të qeskave të ajrit në mushkëri, të cilat mund të mbushen me lëng ose qelb, duke vështirësuar frymëmarrjen. Kolla, temperatura e lartë, dhimbja në gjoks, vështirësitë në frymëmarrje dhe lodhja, janë ndër simptomat më të zakonshme të kësaj sëmundjeje. Çdo vit, më 12 nëntor, shënohet ‘Dita Botërore e Pneumonisë’, për të rritur ndërgjegjësimin për këtë infeksion të mushkërive, rreziqet që paraqet ajo dhe rëndësinë e parandalimit dhe trajtimit të saj në kohë.
Edhe pse mund të prekë njerëzit e të gjitha moshave, më të rrezikuar janë fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar. Vaksinimi, higjiena e mirë, ushqyerja e shëndetshme dhe shmangia e duhanit, janë disa nga masat që ndihmojnë në parandalimin e pneumonisë. Po aq i rëndësishëm është edhe reagimi në kohë, pasi që shfaqja e simptomave kërkon vëmendje dhe konsultim me mjekun.
‘Dita Botërore e Pneumonisë’ na rikujton se një infeksion që mund të bëhet serioz nuk duhet neglizhuar. Informimi, parandalimi dhe trajtimi në kohë mund të shpëtojnë jetë.







