Me afrimin e sezonit të dimrit, drejtuesit e automjeteve në Kosovë duhet të përgatiten për kushtet e vështira atmosferike dhe rrugët e rrëshqitshme. Nga 15 nëntori deri më 15 mars, në Kosovë zbatohet obligimi për pajisjet dimërore të automjeteve. Ky rregull ka për qëllim rritjen e sigurisë në trafik, parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion. Përveç ndërrimit të gomave, shoferët duhet të kontrollojnë edhe gjendjen teknike të automjeteve, presionin e gomave dhe pajisjet e tjera të nevojshme për sezonin e dimrit.
Sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, gjatë kësaj periudhe automjetet duhet të jenë të pajisura me pajisje dimërore. Në rast të mosrespektimit të këtij obligimi, parashihen gjoba.
Policia e Kosovës u bën thirrje shoferëve që të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë rregullat e trafikut dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës. Sepse, siguria në trafik është përgjegjësi e secilit shofer.







