‘Dita Botërore e Ushqimit’ shënohet çdo vit më 16 tetor, për të përkujtuar datën e themelimit të ‘Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi’, në vitin 1945. Sfida për sigurimin e ushqimit apo uria në botë, mbetet një nga çështjet më urgjente globale dhe ka efekte negative të rëndësishme në mirëqenien fizike dhe mendore të njerëzve.
Bota prodhon ushqim të mjaftueshëm për të ushqyer të gjithë banorët e saj dhe ushqimi njihet si nevoja e tretë themelore e njeriut (pas ajrit dhe ujit).
Uria mund të shihet si një dimension i varfërisë ekstreme. Shpesh quhet manifestimi më i rëndë dhe më kritik i varfërisë. Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara ndërthurin urinë dhe varfërinë në qëllimin e tyre të parë “Çrrënjosjen e varfërisë ekstreme dhe urisë”.
Megjithatë, uria vazhdon të prek ende rreth 10% të popullsisë globale. Tema e cila shënon sivjet ‘Ditën Botërore të Ushqimit’, thotë ‘E drejta për ushqim, për një jetë më të mirë dhe një të ardhme më të mirë’, përmes së cilës bëhet thirrje për të drejtën për një dietë të larmishme dhe të pasur me lëndë ushqyese, e cila është e përballueshme, e qasshme dhe e sigurt për të gjithë.
Kjo ditë na shërben të gjithëve që të angazhohemi për të luftuar urinë dhe për të promovuar një jetë të shëndetshme për të gjithë.







