Në një kohë kur informacioni është gjithnjë e më i lehtë për t’u gjetur, aftësia për të menduar në mënyrë kritike bëhet edhe më e rëndësishme. Çdo vit, më 21 tetor, shënohet ‘Dita e Mendjes’, për të na kujtuar rëndësinë e kuriozitetit, të menduarit kritik dhe kënaqësisë që sjell zbulimi i diçkaje të re. Kjo ditë i kushtohet veçanërisht matematikës, shkencës, enigmave dhe lojërave që sfidojnë mënyrën se si mendojmë. Ideja është e thjeshtë: mendja njerëzore ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe ajo forcohet kur vazhdimisht mëson, pyet, hulumton dhe kërkon zgjidhje.
“Dita e Mendjes” (Celebration of the Mind Day) lidhet me matematicienin amerikan Martin Gardner, i njohur për kontributin e tij në matematikën rekreative, enigmat dhe lojërat logjike. Në këtë ditë, njerëzit inkurajohen të mblidhen me miq, familjarë apo kolegë për të zgjidhur puzzle, probleme matematikore, lojëra strategjike dhe sfida të ndryshme mendore.
Një puzzle, një libër, një lojë shahu, një problem matematikor apo edhe një bisedë interesante mund të jetë një mënyrë e mirë për ta mbajtur mendjen aktive. Në fund të fundit, të mësuarit nuk njeh moshë dhe kurioziteti është një nga mënyrat më të bukura për ta mbajtur mendjen gjithmonë të re.







