Viti i ri shkollor për nxënësit e Shkollës Fillore të Mesme të Ulet “Eqrem Çabej”, në Mitrovicë do të jetë edhe më i gëzueshëm, pasi që ushtarët e Kontingjentit Danez, nga Ekipi Ndërlidhës Monitorues të cilët veprojnë në kuadër të KFOR-it në Kosovë ditë më parë dhuruan si donacion 30 banka shkollore. Gjatë pranim-dorëzimit të donacionit, ekipi i radio KFOR-it ishte prezent dhe më këtë rast intervistoi Kapitenin danez Henrik i cili tha: “Ne ushtarët danez kemi mbledhur një donacion dhe shumën që e kemi fituar, kemi vendosur t’i dhurojmë për të rinjtë, të ardhmen e Kosovës. Ne vendosëm që paratë e grumbulluara t’i përdorim për fëmijë, kështu që shpresojmë se ata do të rriten dhe do të jetojnë së bashku në paqe dhe në harmoni. Unë mendoj dhe duket një e ardhme e ndritur, ku fëmijët mund të punojnë së bashku dhe të jetojnë së bashku.” E pranishme në këtë pranim-dorëzim të donacionit ishte edhe drejtoresha e shkollës, zonja Remzije Sadiku –Alidemaj e cila tregoi se shkolla në fjalë ka 20 klasë me 1075 nxënës dhe më tutje shtoi: “Ishte një ditë shumë e mirë pasi që KFOR-i danez ka sjellë 30 banka shkollore. Ky donacion i tyre do t ‘na e lehtësojë punën për një shtator pasi do t’i kemi banka të reja dhe i falënderojmë shumë për ketë donacion, sepse kemi pasur shumë nevojë për banka, prandaj i falënderoj shumë dhe shpresoj se në të ardhmen do të kemi një bashkëpunim edhe më të mirë me KFOR-in danez, ” kështu tha zonjusha Sadiku –Alidemaj. Të lumtur për arritjen e bankave të reja ishin edhe nxënësit e kësaj shkolle të cilët me buzëqeshje e hare i mirëpritën ato. “Unë jam Ruana Hasi dhe dal në klasën e pestë. Jam shumë e lumtur që KFOR-i danez na ka sjellur këto banka kaq të mira dhe po ashtu ushqime dhe lëngje. Unë u kënaqa shumë, sepse sot ishte një ditë argëtuese me ta, duke folur gjuhë të ndryshme dhe duke u argëtuar. Tani e tutje shpresoj se do të mësoj më shumë unë dhe nxënësit e tjerë.”
“Unë jam Anik Tërdefci në Shkollën “Eqrem Cabej” .Unë erdha në shkollë sepse KFOR-i danez a ka sjellë banka dhe jam shumë i gëzuar dhe shumë i hareshëm.”
Duke përmirësuar kushtet në shkolla, përmirësohet edhe niveli i mësimdhënies dhe mësimnxënjes.