Edicioni i 51-të i ‘BarCamp Prishtina’, i dedikohet të gjithë artistëve kosovar, që përmes krijimtarisë së tyre në kinematografinë shqiptare, kanë arritur që të promovohen në shumë festivale ndërkombëtare.
Ky edicion sjell 2 artistë të shquar në fushën e artit, More Raçën dhe Ujkan Hysajn, filmat e të cilëve kaluan nëpër festivale të ndryshme të botës dhe u vlerësuan nga juri të shumta profesionale botërore.
Pikërisht për këtë arsye Radio KFOR-i kontaktoi me regjisorin dhe producentin Ujkan Hysaj, i cili para të pranishmëve do të ndajë momente nga hapat e tij të karrierës, të cilat do të jenë shumë të dobishme, sidomos për të rinjtë: “Mendoj që fjalimi im do të jetë inspirues dhe motivues për gjeneratat e reja që po ashtu kanë synime për të ardhmen. Unë mendoj që secili njeri i cili ka synime dhe beson në atë çka do, gjithmonë do të gjejë një çelës për të arritur atë. Mendoj se Kosova është vendi më ideal për krijuesin, sepse është një vend i zhvillimeve të shpejta, ku secili nga ne po të jemi më vigjilent do të përfitojmë shumë nga ky vend”, tha Ujkan Hysaj.
‘BarCamp Prishtina’, do të mbahet nesër më 20 Shkurt, duke filluar nga ora 18:30 në Kino Armata në Prishtinë.