Organizuar nga ‘RIT Kosovo’, këtë të premte (22 shkurt), lektorja e njohur e Universitetit të Dublinit dhe Universitetit të Mbretëreshës Belfast, Laura K. Taylor, do të sjell një eksperiencë të rëndësishme kërkimore në kuptimin e konfliktit, veçanërisht në mesin e gjeneratave të reja.
Puna e saj përqendrohet në proceset e ndërtimit të paqes në Irlandën e Veriut, një kontekst i goditur me ndarjet etno-fetare. Gjatë dy viteve të fundit, ajo ka bashkëpunuar me Edona Malokun nga Kosova dhe Ana Tomovska Misoska nga Maqedonia, për të zgjeruar këto njohuri në këto kontekste dhe për të kuptuar më mirë faktorët që përjetësojnë ndarjen mes fëmijëve.
Laura do të flasë këtë të premte në sallën kryesore të institucionit RIT Kosova (A.U.K) duke filluar nga ora 11:30, për punën e saj të përbashkët në Kosovë dhe rajon, në mënyrë që edhe ne të mund të përfitojmë nga përvoja e saj në ndërtimin e paqes.