Nëse jeni një grua që dëshironi të krijoni një karrierë të suksesshme e që do të donit ta ndihmonit veten në rrugën drejt suksesit, atëherë ‘Academic Education Center’ (AEC), në Prishtinë, do të organizojë një trajnim që përfshinë rëndësinë e karrierës në jetën grave dhe përkrahjen e tyre për të zhvilluar profesionin e tyre.
Në lidhje me këtë trajnim që do të organizohet me datën 18 qershor, në ambientet e AEC, për Radio KFOR-in koordinatorja e ‘Academic Education Center’ në Kosovë, Dorentina Kabashi, tregoi më shumë rreth trajnimit në fjalë: “AEC ka organizuar eventin ‘Femra në karrierë’, për nder të 8-Marsit, mirëpo për shkak të situatës së krijuar ne nuk kemi mundur ta realizojmë, prandaj eventi është shtyrë për datën 18 qershor dhe do të mbahet nga dy herë në javë, duke filluar nga ora 15:00 deri në orën 16:00. Trajnimi do të zgjasë dy muaj dhe gjatë këtij eventi do të trajtohen tema të ndryshme si: ndërtimi i vetëbesimit, ngjitja e shkallëve të karrierës, inteligjenca emocionale e shumë tema të tjera.”
Në këtë event do të jenë pjesëmarrës themeluesi i qendrës AEC, profesori me përvojë ndërkombëtare z. Lavdrim Avdyli dhe profesoresha e psikologjisë në universitetin ‘UBT’ Dr. Denis Celcima.