“T’pres N’Derë-Dritare”, kështu quhet instalacioni që do të zë vend sot më 31 tetor, duke filluar nga ora 13:00, n’Kej, në qendrën historike të Prizrenit. Ky instalacion do të sjellë para audiencës dyer dhe dritare të vjetra të qytetit, ndërsa është nismë e Valtida Shukriut, e cila për Radio KFOR-in ka shpalosur detaje të projektit që ajo ka realizuar: “Ideja ka lindur nga viti 2017, atëherë edhe kur kam hapur në rrjetet sociale profilin ‘Prizren’doorsandwindows’, përmes së cilit kam sjellë prezantimin e dyerve dhe dritareve të vjetra të Prizrenit. Kjo zgjoi interesim të madh tek të gjithë dhe në vitin 2019, bashkë me organizatën ‘Ec ma Ndryshe’, bënë realizimin e katalogut me 24 dyer të vjetra të shtëpive në Prizren. Tash kjo ide po jetësohet edhe më shumë, me instalacionin e parë publik të prezantimit fizik të dyerve dhe dritareve të vjetra të qytetit. Brenda këtij instalacioni do të ekspozohen edhe fotografi të dyerve dhe dritareve të shtëpive ekzistuese në Prizren.”
“T’pres N’Derë-Dritare” është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa znj. Shukriu, ka falënderuar edhe qytetarët të cilët i kanë mundësuar asaj që të marr disa dyer dhe dritare, të cilat do të jenë pjesë e këtij instalacioni.