Festivali Ndërkombëtar i Muzikës ‘DAM’, i cili për 14 vjet me radhë është realizuar në muajin mars, këtë vit, si pasojë e pandemisë globale Covid-19, edicionin e tij të 15-të, që e ka nisur më 7 tetor, është duke e vazhduar edhe më tutje. Drejtori i DAM Festivalit, Dardan Selimaj, për Radio KFOR-in ofroi më shumë hollësi, në lidhje me përmbajtjen e sivjetme të këtij festivali: “Ndryshe nga herët tjera, ky edicion është hapur me një mbrëmje dedikuar një personaliteti, konkretisht mexosopranos serbe Julijana Anastasijeviq, e cila ndërroi jetë korrikun që shkoi. Fillimisht kemi shfaqur një dokumentar të shkurtër nga Ilir Gashi dhe pastaj ka pasur një panel diskutimi për jetën e saj. Tunde Gajdos – mexosoprano hungareze e cila jeton në Gjermani, ka qenë këtu për të punuar në një master-klasë me studentë të këndimit të Fakultetit të Arteve. Deri më tani kemi organizuar koncertet e kitaristes dhe këngëtares Ebru Jilta (Ebru Zhëllta), kitaristes Tringa Sadiku, treshes Kaltrina Miftari – soprano, Safet Berisha – kontratenor dhe Melos Buza – harpsikord si dhe koncertin e veçantë me multi-instrumentisten shqiptare e cila jeton në Paris, Linda Rukaj. Do të kemi disa ekranizime gjatë këtij edicioni, si video koncertin (vepër e porositur nga festivali) “Procesioni nga perkusionisti dhe artisti Christian Smith”, tregoi për Radio KFOR-in, z. Selimaj.
Pjesëmarrësit që duan të jenë pjesë e këtyre eventeve, duhet të regjistrohen paraprakisht, meqë numri i personave që mund të ndjekin koncertet varion nga 30 deri në 100, varësisht nga hapësirat që organizohen. Mirëpo DAM do të vazhdoj të mbahet edhe gjatë muajve nëntor dhe dhjetor 2020, ndërsa gjithçka do të finalizohet me një botim i cili do të dokumentojë gjithë këtë proces.