Personalitete të njohura të fushës së sportit i janë bashkuar fushatës së vazhdueshme të Radio KFOR-it për respektimin e masave anti-CoViD, në mënyrë që së bashku të triumfojmë kundrejt kësaj pandemie, e cila ka izoluar thuajse tërë botën tash e një vit.
I njohuri për rekordet Guinness në gjuajtjen e topit me kokë, zhongleri Agim Agushi, ka përçuar mesazhin e tij për të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it: “I lus të gjithë qytetarët që të respektojnë masat anti-CoViD. Pandemia e quajtur CoViD-19 nuk ka mëshirë. Unë gjatë vitit 2020, gjatë kohës së pandemisë kam realizuar Rekordin Guinness, në disiplinën ecje mbrapa duke zhubluar me top në kokë, por gjatë gjithë asaj kohe, unë kam bartur maskë në fytyrë dhe dorëza në duar. Prandaj, i lus të gjithë qytetarët kudo që gjinden që të respektojnë masat anti-CoViD.”
Thirrje për të qenë të bashkuar në luftën kundër pandemisë ka bërë edhe trajneri i Kickboksit, Rados Zivic, i cili për Radio KFOR-in tha: “Mund të imagjinoj se sa shumë të gjithëve ju mungojnë ngjarjet sportive. Në mënyrë që t’i kthehemi trajnimeve, ne duhet të kujdesemi që secili të jetë i shëndetshëm, duke respektuar masat. Ne do të luajmë shumë lojëra, por së pari ta fitojmë këtë betejë. Respektoni masat.”
Andaj, bëhuni të përgjegjshëm duke bartur maskë, duke mbajtur distancë dhe duke u përkujdesur për higjienën personale!