‘Dita Botërore e Statistikave’ shënohet çdo vit me 20 tetor, si një përpjekje bashkëpunuese globale, e organizuar nën drejtimin e Komisionit të Statistikave të Kombeve të Bashkuara. Forumi Botëror i të Dhënave të Kombeve të Bashkuara synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e të dhënave të besueshme dhe autentike. Rëndësia e statistikave qëndron në atë që të dhënat nga fusha të ndryshme, ndihmojnë në paraqitjen reale të problemeve shoqërore, ekonomike dhe sociale për të mësuar më mirë gjendjen e përgjithshme të një vendi.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) është institucion profesional, që merret me grumbullimin, përpunimin dhe publikimin e statistikave zyrtare që nga viti 1948. Për këtë ditë Radio KFOR-i ka intervistuar zyrtaren e lartë për komunikim me publikun në ASK, Hazbije Qeriqi, e cila ka treguar për punën që bën institucioni i tyre: “Sisitemi Statistikor i Kosovës ka për mision t’u ofrojë të gjithë përdoruesve, qofshin ata nga institucione qeveritare, institucione kërkimore apo akademike, komunitet ndërkombëtar, komunitet i biznesit, shoqëri civile ose edhe publiku i gjerë, informata cilësore statistikore, të besueshme dhe objektive. Të dhënat do të vihen në dispozicion në kohën e duhur dhe paraqiten në atë mënyrë, që i lehtësojnë përpjekjet planifikuese dhe zhvillimore në nivel vendi, komune dhe vendbanim.”
Përveç dokumenteve të tjera strategjike, si: Programi 5-vjeçar për Statistikat Zyrtare, Hartës Rrugore, planeve vjetore dhe raporteve vjetore, ASK-ja çdo vit publikon edhe Kalendarin e Publikimeve, sipas të cilit publikohen statistika zyrtare në fushën ekonomike, sociale, të popullsisë, të bujqësisë dhe mjedisit si dhe llogaritë kombëtare. Agjencia e Statistikave të Kosovës synon që të prodhojë statistika zyrtare të besueshme.