5 Qershori, shënon ‘Ditën Botërore të Mjedisit’. Në Kosovë, kjo ditë do të shënohet këtë vit me fillimin e Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila organizohet çdo vit nga Organizata Mjedisore “Let’s Do It Kosova”.
Projekt menaxheri në këtë Organizatë dhe një nga organizatorët e Fushatës, Besnik Shabiu, për Radio KFOR-in tha se kjo ditë, këtë vit do të shënohet pak më ndryshe dhe shtoi: “Ne po kthehemi fuqishëm për të vazhduar kampanjën tonë dhe për të dhënë mesazhin tek njerëzit që ta kenë prioritet pastrimin e mjedisit. Sot është ‘Dita Botërore e Mjedisit’, andaj ne do ta fillojmë pikërisht nesër fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën”, për këtë vit, e cila do të vazhdojë deri me datën 19 shtator, kur edhe është ‘Dita Botërore e Pastrimit’. Për nesër janë paraparë disa aktivitete të konfirmuara në shumicën e komunave të Kosovës. Ekipi qendror i ‘Let’s Do It Kosova’, bashkë me vullnetarë, me Ministrinë e Mjedisit dhe akterë të tjerë do të jemi në Prizren, në Liqenin e Vermicës, ku do t’i pastrojmë brigjet e këtij liqeni. Pas saj, ekipi do të kthehet në Komunën e Suharekës, ku do të ketë aksion bashkë me komunën, mbjellje dhe pastrim”.
Shabiu sërish u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, pa dallim, që të bëhen pjesë e fushatës për pastrimin e Kosovës: “Qytetarët janë të ftuar për t’iu bashkuar aksionit. Kudo që ata ndodhen, mjafton që të dalin nëpër lagjet e tyre dhe të pastrojnë lokacionet që janë me mbeturina, pasi kjo do të thotë shumë për Kosovën. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, pa dallim që të dalim e të pastrojmë. Është e rëndësishme që në të gjitha aktivitetet e nesërme, të respektohen edhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore, ku qytetarët duhet të mbajnë distancën fizike, të pastrojnë me maska dhe dorëza si dhe të kenë dezinfektues që pas aksionit t’i pastrojnë mirë duart”.