Procesi mësimor është shtyrë sërish. Kjo, me masat e reja që kanë dalë nga mbledhja e Qeverisë së Kosovës, që është mbajt në mënyrë elektronike. Vendimi i ri përmban masat anti-CoViD19 ndërsa për shtyrjen e procesit mësimor, specifikohet: “Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, duke përfshirë edhe institucionet e arsimit parashkollor dhe të qëndrimit ditor, pezullohet deri me datën 26 shtator, 2021. Ky pezullim vlen edhe për aktivitetin mësimor me prezencë fizike në institucione publike dhe private të arsimit universitar. Për familjet me fëmijë të regjistruar në institucione parashkollore dhe me dy prindër të punësuar (ose që ka vetëm një prind dhe ai prind është i punësuar), njëri prind lirohet nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë gjatë periudhës 13 – 26 shtator, 2021.”
Krahas mësimit, masat përfshijnë edhe paraqitjen në punë dhe punën nga shtëpia: “Në institucionet publike dhe private, deri me datën 26 shtator 2021, vazhdohet obligimi që të paraqitet në punë vetëm stafi esencial, ndërsa stafi jo esencial obligohet që të punojë nga shtëpia. Për qëllime të këtij vendimi, staf esencial konsiderohen punëtorët, prania fizike e të cilëve në vendin e punës është e domosdoshme për kryerjen e detyrave të punës.”
Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, përveç: Gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes, gjatë vrapit, çiklizmit, ushtrimeve fizike si dhe gjatë ngrënies apo pijes.