Alergjitë shfaqen kur sistemi ynë imunitar reagon ndaj një substance të huaj. Janë të njohura lloje të ndryshme alergjish, si alergiitë në polen, në të ashtuquajturin pluhurin e shtëpisë, alergjitë e medikamenteve, nga pickimi i insekteve etj.
Secila nga këto alergji, i ka karakteristikat e veta se kur shfaqet, si manifestohet dhe si mund te mbrohemi nga ato. Rreth këshillave se si të mbrohemi dhe të dimë që përballemi me alergji, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me alergologun/imunologun klinik, Dr. Enis Halimi, i cili ndau disa këshilla: “Te alergjitë është e rëndësishme të shmanget kontakti me alergjenin, pra me shkaktarin e alergjisë. Rëndësi të madhe ka edhe terapia e rregullt simptomatike e ordinuar nga profesionistët apo mjeket alergolog. Duhet shmangur vetëmjekimin dhe duhet insistuar që mjekimi të merret vetëm nga mjeku alergolog. Gjithashtu, në mozaikun e mjekimit bën pjesë edhe imunoterapia specifike. Alergjitë në polen shfaqen që nga fillimi i vitit, si alergjitë në polenin e drunjëve të lartë dhe disa pemëve në pranverë, ku kryesisht është aktiv poleni i barit e drithërave dhe në verën e vonë dhe vjeshtë, shfaqet poleni nga shkurret. Alergjitë nga pluhuri i shtëpisë, janë prezentë gjatë gjithë vitit, por me manifestim më të agravuar në vjeshtë e dimër. Simptomat e alergjive janë fillimisht sikur të një ftohjeje të zakonshme apo gripi të lehte, si teshtima, kruarje e rrjedhje e hundeve, kruarje e veshit, qiellzës, kruarje e syve, lotim i syve, kollitje, etj”.
Dr. Halimi, theksoi se simptomat e alergjive mund t’i ngatërrojmë, me ato të një ftohjeje të zakonshme, por nëse këto simptoma janë më intensive se zakonisht dhe vazhdojnë për një kohë më të gjatë se sa një ftohje apo grip, atëherë duhet që pa vonesë të procedojmë me diagnostikim alergologjik, në mënyrë që problemet në të ardhmen të jenë sa më të vogla për pacientin.