Duke parë sfidat e vërteta me të cilat përballen vajzat në të gjithë botën, Kombet e Bashkuara, më 19 dhjetor të vitit 2011, shpallën datën 11 tetor si ‘Ditë Ndërkombëtare të Fëmijës Vajzë’. Organizimi i punëtorisë virtuale dy ditore “Inteligjencë Artificiale & Mësim i Makinerisë”, të cilën IPKO Foundation po e organizon me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe Programin “Përkrahje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt” [ASSET] të USAID Kosovo, në bashkëpunim me Shkollën Digjitale, po ashtu shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Fëmijës Vajzë’.
“Nga qindra aplikues, ne kemi përzgjedhur 50 prej tyre, të cilët do të ndjekin këtë Punëtori përmes Platformës Online ZOOM, në dy orare të ndryshme, që do zgjasin rreth 3 orë në ditë”, kështu tha menaxherja e Projektit në IPKO Foundation, Dina Spahiu dhe më tutje shtoi: “Dita Ndërkombëtare e Vajzës na kujton se është përgjegjësi e jona t’i adresojmë sfidat me të cilat ballafaqohen vajzat në Kosovë dhe njohim të drejtat e tyre për një jetë dhe të ardhme më të mirë. Pse t’i mbështesim vajzat? Sepse një vajze e edukuar ka fuqinë ta edukojë të gjithë familjen.”
Meqë e gjithë bota gjendet në vitin e dytë të pandemisë COVID-19, kjo ka përshpejtuar platformat digjitale për të mësuar dhe fituar si dhe njëkohësisht ka nxjerrë në pah edhe realitetet e ndryshme digjitale të vajzave.