Sot (27 shkurt) shënohet ‘Dita e Ndërgjegjësimit për Anosminë’, për të ngritur vetëdijen për rëndësinë që ka në jetën tonë shqisa e të nuhaturit. Ndjesia e nuhatjes ka një efekt të fuqishëm në kujtimet dhe emocionet tona dhe kur e humbasim këtë shqisë, të cilën shumica prej të prekurve me Covid-19, e humbin për një kohë të caktuar, ndjehen të hendikepuar dhe e vlerësojnë më shumë atë.
Pesë muaj më parë, zonja Donika Hyseni, nga Prishtina u infektua me virusin Covid-19 dhe një nga simptomat, me të cilat ajo u përballë ishte edhe humbja e nuhatjes. Në një prononcim për Radio KFOR-in, ajo rrëfeu këtë përvojë të saj: “Sinqerisht, nuk është aspak e këndshme. Sidomos për një person si unë, i cili gjithmonë ka pasur një nuhatje të fortë. Unë mund të nuhasja çdo erë nga një distancë shumë më e largët. Kjo ndjenjë aktuale e anosmisë, nuk është aspak e këndshme. Shpresoj që nuhatja ime të kthehet së shpejti.”
Anosmia është humbje e pjesshme ose e plotë e shqisës së të nuhaturit dhe mund të jetë e përhershme ose e përkohshme, zakonisht nuk është serioze, por sigurisht që mund të ndikojë në cilësinë e jetës së një personi, për sa kohë që nuk nuhat ose nuk shijon ushqim. Ka shumë shkaqe të anosmisë, arsyet më të zakonshme janë infeksionet e frymëmarrjes së sipërme të hundës ose sinusit.