Duke parë nevojën e rritjes së ndërgjegjësimit për çështjet e shëndetit mendor ‘Organizata Botërore e Shëndetësisë’, që nga viti 1992, vendosi që data 10 tetor, të shënojë “Ditën Botërore të Shëndetit Mendor”.
“Bota po përjeton ndikimin e pashembullt të urgjencës aktuale globale të shëndetit mendor për shkak të ‘COVID-19’, që ka prekur miliona njerëz”, kështu tha për Radio KFOR-in, Dr.Arsim Gashi, psikiatër forenzik, në Ordinancën Psikiatrike “Trungu” dhe më tej shtoi : “Duke marr parasysh këto rrethana mesazhi im kishte me qenë që të mbajmë distancë fizike, por jo distancë sociale. Të qëndrojmë larg, aq sa është e mundur nga informacionet dhe faktorët që na shkaktojnë stres, mos të turpërohemi por të flasim për problemet tona, të kërkojmë ndihmë nga profesionistët e shëndetit mendor dhe në fund mos t’i paragjykojmë njerëzit me vështirësitë psikike, sepse duke i mbështetur dhe duke i përkrahur ata, ne tregojmë vlerat tona humane.”
Shënimi i “Ditës Botërore të Shëndetit Mendor” ndërgjegjëson të gjithë, për mbështetjen e personave me probleme psikike, duke filluar nga familja, institucionet shëndetësor dhe e gjithë shoqëria.