Michael Jackson, njihet si figura më eminente e shekullit të 20-të, në muzikë. Këngëtari, valltari dhe kantautori Jackson, ka lindur më 29 gusht, të vitit 1958 dhe jeta e tij do të mbetet gjithmonë në histori.
Ishte babai i tij, Joseph, që besonte shumë tek talenti Michael dhe kështu i erdhi edhe ideja për krijimin e një grupi që më vonë u quajt “Jackson 5”, e që përbëhej nga Michael dhe vëllezërit e tij. Ndërsa, këndonte akoma me Jackson 5, Michael kishte një numër albumesh solo. Ai pati disa këngë hite, duke përfshirë “Ben” dhe “Got to Be There”. Takimi me Quincy Jones, e futi në zhvillimin e karrierës solo, duke punuar me producentin Quincy Jones, ai lansoi edhe albumin e parë solo që debutoi në vitin 1979. Pas këtij albumi ai lansoi edhe një tjetër album që do të mbetet trashëgimia më e madhe që ka lënë pas ky artist. Albumi ‘Thriller’ u lansua në vitin 1982 dhe edhe sot e kësaj dite, mban titullin si albumi më i shitur në histori.
Brenda këtij albumi dallohen shumë këngë, e ndër to edhe projekti Billie Jean, që përndryshe për pak sa nuk e mbyti artistin tonë të ditës dhe këtë ai e kishte shpjeguar në autobiografinë e Jackson, se derisa po drejtonte veturën e tij Rolls Roys, po dëgjonte këngën Billie Jean dhe ishte habitur aq shumë me këngën sa që nuk po dallonte që vetura i kishte marr flakë.
Pas “Thriller”, Jakson solli edhe shumë albume të tjera të cilat fituan edhe shumë çmime, ishin albumet si: Bad (1987), Dangerous (1991), History: Past, Present and Future, Book I (1995), dhe Invincible (2001) që na përcollën gjatë këtyre viteve.
Mbreti i muzikës pop, MJ u shua më 25 qershor, të vitit 2009, pas një sulmi në zemër që dyshohej se ishte shkaktuar nga sasia e madhe e pilulave që po konsumonte artisti për të luftuar pagjumësinë. Gjenialiteti i tij do të kujtohet gjithmonë, kurse trashëgimia muzikore që ka lënë pas do të jetë pjesë e përditshmërisë sonë dhe e shumë e shumë gjeneratave të reja.