Megjithëse numri i të prekurve nga CoViD-19 është në rritje e sipër krahasuar me javët e kaluara, infektologu, Dr. Murat Mehmeti, për Radio KFOR-in tregoi se situata momentale në Kosovë është e përballueshme dhe ai më tutje shpjegoi: “Tash për tash ndoshta vërehet një numër paksa më i rritur i rasteve krahasuar me javët e kaluara, realisht nuk them se kemi një valë të re, krahasuar me muajt e kaluar, sidomos gjatë periudhës së korrikut dhe të gushtit, kur kemi pasur një valë shumë më të theksuar. Pas tubimeve dhe zgjedhjeve që ishin, ekziston ende mundësia që të kemi një rritje të numrit të rasteve, ndoshta nga fundi i muajit, por tash për tash mendoj se situata është e përballueshme.”
Nga ana tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se vetëm gjatë 24 orëve të fundit 5 pacientë kanë humbur jetën, ndërsa janë regjistruar 437 raste të reja me ‘CoViD -19’. Sipas tyre, deri më tani, numri i përgjithshëm i rasteve pozitive është 67.906 persona, nga 297.628 persona të dyshuar me virusin SARS-CoV-2 dhe deri më sot, janë regjistruar gjithsej 1.587 vdekje.
Sipas Institutit në fjalë, për t’u mbrojtur nga ‘CoViD -19’ edhe më tutje mbeten në fuqi masat parandaluese si mbulimi i gojës dhe hundës me maskë, respektimi i distancës si dhe mbajtja e higjienës.