Organizata ‘Education Code’ nga Kosova, e cila merret me fuqizimin e komuniteteve të margjinalizuara, të rinjve dhe grave, ka fituar çmimin e parë në garën e projekteve ndërkombëtare në Austri ‘Intercultural Achievement Awards’.
Çmimi i kategorisë ‘Recent Event’, ka vlerësuar arritjet e projektit ‘Ma Kupton Heshtjen’, të kësaj organizate, i cili synon t’u japë fëmijëve, adoleshentëve dhe komunitetit të shurdhër, qasje më të lehtë në institucione publike.
Radio KFOR-i ka kontaktuar drejtoreshën e Organizatës ‘Education Code’ në Prishtinë, Znj. Mimoza Krasniqi Stanovci, e cila është shprehur jashtëzakonisht e lumtur dhe mirënjohëse për fitimin e këtij çmimi: “Ne e kemi fituar çmimin e parë si projekti më i mirë, me më së shumti rezultate në kategorinë ‘Ngjarjet e fundit’ apo ‘Recent Events’. Si drejtoreshë e Organizatës jam tepër mirënjohëse, jashtëzakonisht shumë, sepse ky është një hap shumë i madh fillimisht për vet organizatën, mirëpo shpresojmë që ky ka me qenë një hap përpara edhe për vazhdueshmërinë e mbështetjes së komunitetit të shurdhër, në bazë të asaj që një shtet aq i fortë jashtë vendit e ka vlerësuar aq lartë, sepse nevoja për mbështetjen e këtij komuniteti është aq e madhe.”
Ceremonia e ndarjes së këtij çmimi u mbajt në Ambasadën Austriake në Prishtinë, ku Ambasadori Austriak në Kosovë, Christoph Weidinger, ndër të tjerash tha: “Është një kënaqësi e vërtetë që për herë të parë një organizatë kosovare ka fituar çmimin e arritjeve ndërkulturore në Austri. Projekti tregon se është e mundur të adresohen sfidat fizike si dhe ato kulturore dhe të gjenden zgjidhje për to së bashku. Unë i uroj shumë sukses organizatës Education Code, në përpjekjet e tyre për të thyer barrierat e komunikimit.”
‘Intercultural Achievement Awards’ (IAA) është një iniciativë e Ministrisë Federale të Austrisë për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare, e bashkë financuar nga Agjencia Austriake e Zhvillimit, Fondi i Ardhshëm i Republikës së Austrisë dhe Fondi Austriak i Integrimit. Qëllimi i tij është të njohë dhe shpërndajë publikisht projekte të dalluara që zbatojnë me sukses aktivitetet e dialogut.