Zbulimet dhe zhvillimet teknologjike, vazhdojnë të pasurojnë botën me inovacione dhe mënyra të reja të punës, duke pasuruar dhe ndryshuar mënyrën tradicionale të jetës. Printerët 3D, janë disa nga zhvillimet e reja në këtë fushë dhe ky lloj printimi është një proces i krijimit të objekteve tredimensionale nga një skedar (file) digjital.
Krijimi i një objekti të printuar 3D, arrihet duke përdorur procese shtesë. Një objekt 3D krijohet duke vendosur shtresa të njëpasnjëshme të materialit derisa të krijohet objekti. Rreth printerëve 3D dhe mundësive të shumta të krijimit të shumë gjërave, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me drejtorin e kompanisë ‘Formon’, Arianit Zabërgja, i cili tregoi se udhëheq këtë kompani të printimeve 3D në Prishtinë dhe shtoi: “Printimi 3D është një teknologji e re, që ka fillet nga viti 2009. Ky printim dallon nga ai tradicional, sepse nuk është printim në letër, mirëpo bëhet me materiale tjera dhe çdo dizajn apo file që e krijoni në kompjuter nga imagjinata juaj, mund ta shndërroni atë në formë fizike, përmes këtij printeri, varësisht për çfarë e destinoni. Përdorimi i printerëve 3D ka marrë hov të madh të përdorimit në gjithë botën por edhe në Kosovë, sidomos viteve të fundit.”
Përfitimet e printimeve 3D, janë të shumëfishta. Kjo teknologji ka gjetur përdorim të gjerë edhe në fushën e mjekësisë. Teknologjia e printimit 3D, përfaqëson një mundësi të shkëlqyer për të ndihmuar kompanitë farmaceutike dhe mjekësore të krijojnë barna, duke mundësuar një prodhim të shpejtë të pajisjeve mjekësore dhe kryerjen e operacione të ndryshme.