Për të tretin vit me radhë, OSBE është duke organizuar ‘Panairin e Tregtisë për Gratë Ndërmarrëse’, aktivitet ky që ka filluar nga dita e djeshme dhe do të vazhdojë edhe sot.
Zyrtarja nacionale e programit për misionin e OSBE-së , Edona Bajrami-Shala, tregoi për Radio KFOR-in që këtë vit, ky panair në fokus ka pjesëmarrjen e grave të etniciteteve të ndryshme në Kosovë.
“Ideja e krejt panairit është ngjallja e bashkëpunimit mes këtyre grave dhe krijimit të marrëdhënieve biznesore mes tyre. Po ashtu, përveç kësaj qëllimi i këtij panairi është që t’i sjellim këto gra para një tregu pak më të madhë se sa që ato e kanë në vendet e tyre, si për shembull që është Prishtina. Produktet janë të natyrës kryesisht të atyre produkteve që punohen me dorë siç janë ushqimet e ndryshme dhe po ashtu produktet e tjera artizane siç janë bizhuteritë e ndryshme, por fokusi më i madh ka qenë në ushqim këtë vit sidomos në ushqime bio”.
Zyrtarja nacionale e programit për misionin e OSBE-së , Edona Bajrami-Shala ka ftuar qytetarët që të jenë present në panair dhe të blejnë produktet e këyre grave pasi, duke blerë produktet e tyre do i bëjnë shërbim këtyre grave, familjeve të tyre dhe ekonomisë:
“E veçanta e këtij panairi është se secila grua që vjen te ekspozojë produketet e saja para vizitorëve sjell në vete një natyrë të veçantë si të produkteve po ashtu edhe të biznesit që ajo vjen aty ta përfaqësojë. Kemi vrejtë që multietniciteti që ato kanë sjellë në panair, është jo vetëm interesant për panairin po gjithashtu ka ngjallë një llojë bashkëpunimi mes grave dhe kemi pa se kur ato punojnë në mes vete dhe bashkëveprojnë, janë në gjendje që të vijnë me ide shumë të mira se sa që ne i kemi pritur prej tyre”, tha Bajrami-Shala.
Ndërsa Gordana Djoric, e cila është pjesëmarrëse në këtë panair ka thënë që ngjarje të tilla janë shumë të rëndësishme për prezantimin e gruas dhe një mundësi që të prezantojnë produktet e tyre:
“Gratë sipërmarrëse deri më tani kanë treguar gatishmëri të madhe dhe kanë përfituar përvoja të madha. Unë besoj se këto gra kanë forcën dhe dëshirën për të kapërcyer të gjitha problemet, gjë që gjithashtu tregon praninë e tyre në këtë panair. Ato janë të hapura për të gjitha format e bashkëpunimit të biznesit që shpresojmë edhe do vie. Të gjithë së bashku duhet të bëjmë diçka të mirë për zhvillimin ekonomik, sepse ky zhvillim mund të na mundësojë të gjithëve që të kemi një jetë më të mirë, një ambient më të qëndrueshëm dhe për të garantuar mbijetesën e të gjithëve këtu, sidomos të rinjtë për të mos u larguar nga ky vend “, thotë Gordana Djoric, presidentja e Shoqatës së Grave “Avenue”.
Ndryshe, ‘Panairi i Tregtisë për Gratë Ndërmarrëse’ do të jetë i hapur deri orën 21:30 te ditës së sotme, në platon e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.