‘Platforma e Ndërtimit të Mirëbesimit’ ka nisur fushatën ‘Takoni Ndërtuesit e Mirëbesimit në Kosovë’, në kuadër të së cilës do të promovohen aktorë të ndryshëm për punën që janë duke bërë për të iniciuar ndërtimin e mirëbesimit në Kosovë.
Kjo platformë ka për qëllim që të ndërtojë një shoqëri më paqësore dhe gjithëpërfshirëse, duke promovuar iniciativat e organizatave lokale, shoqërisë civile, përpjekjet e organizatave ndërkombëtare dhe politikat si dhe veprimet institucionale, të cilat synojnë përparimin e ndërtimit të besimit në Kosovë.
Të gjithë të interesuarit mund të bëhen pjesë e kësaj fushate, duke përdorur opsionin online ‘Si mund të Kontribuoj’, ku do të njoftoheni për iniciativat dhe aktorët, për ndërtimin e besimit që sipas tyre e meritojnë të përmenden në këtë platformë. Ndërsa për të parë të dhënat dhe tregimet e mbledhura deri më tani, ku përfshihen mbi 400 iniciativa dhe 300 aktorë që punojnë në 135 rekomandime nga Forumi Kosovar i Mirëbesimit si dhe tregime të panumërta frymëzuese, të gjitha këto mund t’i gjeni në këtë faqe zyrtare: https://www.kosovotrustbuilding.com