Nga dita e sotme (18.07.18) e deri më 22 Korrik në palestrën e sporteve “Shani Nushi”, në Gjakovë do të mbahet Kampionati Ballkanik për grup moshat U17 në konkurrencën e femrave.
Përgjatë pesë ditëve me radhë do të luhen nga tri ndeshje në program, ku secili ekip do të ndeshet me secilin dhe në fund do të shpallet edhe ekipi fitues i Kampionatit Ballkanik.
Në këtë aktivitet sportive po marrin pjesë ekipet nga Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia Veriore, Mali i Zi dhe Turqia.
Lidhur me këtë ngjarje, ne e kontaktuam sekretarin e përgjithshëm të Federatës së Volejbollit të Kosovës, Valon Nikqi i cili na ofroi informata shtesë rreth këtij aktiviteti sportive dhe në fund na dha edhe një mesazh për të gjithë të rinjtë e Kosovës: “Mesazhi është shumë i qartë që të rinjtë duhet të merren me sport, e sidomos me volejboll pasi që ndikon pozitivisht në trupin dhe shëndetin e tyre. Gjithashtu ju bëj ftesë të gjithë të rinjve të vijnë gjatë këtyre ditëve dhe të shohin ndeshje mjaftë interesante dhe të vijnë të përkrahin ekipin e Kosovës.”
Kampionati Ballkanik i Volejbollit i cili po mbahet për herë të parë në Gjakovë është përkrahur nga Federata e Volejbollit të Kosovës në bashkëpunim me Klubin e Volejbollit “Vallëzimi” dhe me Komunën e Gjakovës, gjegjësisht Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport të Gjakovës.