Në mbarë botën, data e sotme, 17 Qershori, shënon ‘Ditën Botërore të Luftës Ndaj Shkretëtirëzimit dhe Thatësirës’, e cila mbahet çdo vit për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve për mbrojtjen e resurseve të natyrës.
Në këtë ditë, është e rëndësishme që të theksohet nevoja veçanërisht për ruajtjen e resurseve ujore në Kosovë, tha për Radio KFOR-in, menaxheri i projekteve në organizatën mjedisore “Let’s Do It Kosova”, Besnik Shabiu.
Sipas Z. Shabiu, rezervat ujore çdo ditë e më tepër po shkojnë duke u rrezikuar, andaj sipas tij ky është momenti i duhur për reflektim dhe shtoi: “Rezervat ujore çdo ditë e më tepër po shkojnë duke u rrezikuar. Kjo si pasojë e keq menaxhimit dhe keq shfrytëzimit të tyre nga njeriu. Në mungesë edhe të reshjeve të vazhdueshme të shiut, këto veprime detyrimisht do të na dërgojnë drejt thatësisë. Kosova bënë pjesë në grupin e vendeve me ‘stres ujor’, d.m.th me mungesë të përmbushjes së nevojave elementare me ujë për kokë banori. Kujdesi dhe menaxhimi i mirëfilltë i resurseve ujore është garantues për vazhdimësinë e jetës në Tokë”.
‘Dita Botërore e Luftës Ndaj Shkretëtirëzimit dhe Thatësirës’, u themelua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara para 23 vitesh, për të rritur ndërgjegjësimin mbi aksionet globale dhe kombëtare që kërkohen për të adresuar shkretëtirëzimit, degradimin e tokës dhe thatësirën.