Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) po i vazhdon përgatitjet për mbajtjen e ‘Provimit të Maturës Shtetërore’, ku maturantët në të gjithë Kosovën do t’i nënshtrohen këtij provimi me datën 4 korrik, 2020.
Radio KFOR-i ka kontaktuar udhëheqësin e Divizionit për Standarde, Monitorim dhe Vlerësim, Fatmir Elezi, i cili tha: “Divizioni për Vlerësim është në fazën e përgatitjes së instrumenteve të vlerësimit. Kemi kontaktuar me komunat, bashkërisht me Këshillin e Maturës, për sugjerimet e Institutit të Shëndetit Publik, duke i informuar komunat për masat që duhet marr për organizimin e këtij procesi. Ne si MASHTI, sa i përket anës teknike, do t’i bëjmë të gjitha përgatitjet, sikur viteve të kaluara, e sa i përket masave tjera, sigurisht që do ta përcjellim gjendjen me Institutin e Shëndetit, në mënyrë që të zbatohen rekomandimet e tyre. Për momentin, lejohet organizimi i këtij procesi. Matura është e planifikuar të mbahet më 4 korrik, ndërsa nxënësit kanë filluar paraqitjen e provimit nga data 1 deri me 15 qershor. Gjatë kësaj jave do të shpërndahet një rregullore për kandidatët maturantë, të cilën e kemi përgatitur në bashkëpunim me Këshillin, ku janë rregullat për mbrojtje nga Covid-19, siç është distanca e të tjerat, por edhe udhëzimet se si duhet të sillen në ditën e testimit.”
Z. Elezi gjithashtu pati edhe një thirrje për të gjithë maturantët që do t’i nënshtrohen provimit. “Të gjithë maturantët duhet të respektojnë rregullat, ditën e testit t’i kenë maskat me veti dhe t’i përcjellin udhëzimet, po ashtu të mos kenë telefon me veti, por vetëm lapsin dhe maskën, pasi mjetet tjera nuk lejohen.”
Megjithatë, në njoftimin e fundit që është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës bëhet e ditur se vendimi për mbajtjen e Provimit të Maturës do të varet nga rrethanat e pandemisë.