Rrobat janë ndër gjërat që pothuajse të gjithë i kemi të shumta në numër. Në sirtarët tanë gjithmonë zënë vend edhe rroba të tilla që nuk i shfrytëzojmë, por hezitojmë t’i largojmë nga vetja, nga pasiguria se ku do përfundojnë. Por, kjo nuk duhet t’ju shqetësoj më. Kjo pasi falë ndërmarrësisë sociale “TeshaVesha”, të krijuar nga Fondacioni “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”, rrobat tuaja të vjetra mund të bëhen shkas për t’i dalë në ndihmë kategorive që kanë më së shumti nevoj. Në dyqanet e “TeshaVesha”, për tri vite rresht, mblidhen rroba dhe produkte të tjera nga qytetarët që i dorëzojnë ato si donacione, të cilët më pas shiten me çmime më të lira. Së fundmi, numri i produkteve në këto dyqane ka qenë në nivel më të ulët se zakonisht, andaj Fondacioni “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”, ka ndërmarrë një fushatë shtatë ditore “Mos i hudhni rrobat që nuk u duhen, kur të tjerët kanë nevojë për to”. Me këtë rast, Radio KFOR-i ka kontaktuar zyrtaren për marrëdhënie me publikun në “AMC”, Riga Demiri, e cila ka treguar për suksesin e kësaj kampanje: “Kjo kampanjë më intensive ka filluar para një jave, ndërsa ka përfunduar dje, më 4 shkurt. Kemi kërkuar më intensivisht nga qytetarët që të dorëzojnë në dyqanet tona rroba apo produkte të tjera, për shkak se numri i produkteve që i kemi pasur në dyqanet tona ka qenë shumë i ulët. Kampanja ka qenë mjaft e suksesshme, sepse janë lajmëruar një numër i madh i qytetarëve, të cilët kanë ardhur dhe kanë dorëzuar rroba dhe produkte të tjera tek ne, kështu që jemi shumë të kënaqur me suksesin e kampanjës. Për ne, ndihma e qytetarëve është shumë e rëndësishme. Fondet që mblidhen nga shitja e këtyre produkteve përdoren për implementimin e programeve tona shëndetësore.”
Znj. Demiri tutje ka treguar se cilat janë programet që po implementohen aktualisht nga Fondacioni “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”: “Ka edhe disa programe të tjera në ‘Aksionin për Nëna dhe Fëmijë’, të cilat i implementojmë gjatë vitit. Ne mbledhim donacione për pajisje mjekësore dhe medikamente për bebe prenatale në Departamentin e Neonatologjisë dhe Pediatrisë në QKUK. Një program tjetër është programi i Skriningut të kancerit të qafës së mitrës, i cili për momentin bëhet në Prizren, Mitrovicë dhe Prishtinë, Pap Teste për gra të moshës 21 deri në moshën 64 vjeçare, programi i klasave për nëna para, gjatë dhe pas shtatzanisë, ku ato informohen për shëndetin mental dhe fizik, për shëndetin e bebës, kthimin në punë dhe gjëra të tjera”, tha ajo.