Nesër, 6 shkurt , në hapësirën e qendrës ‘Termokiss’, do të mbahet diskutimi për “Presentation Sarajevo 2020”, i cili është një projekt ndërkombëtar i filluar qysh nga viti 2016 dhe që ka për qëllim revitalizimin e hapësirave të braktisura.
Anëtari i ‘Termokiss’, Edonis Hashani, për Radio KFOR-in ka treguar detaje për projektin në fjalë: “Prezantim ‘Sarajeva 2020’ është një projekt ndërkombëtar që ndodhë çdo vitë në vende të ndryshme. Në vitin 2016 si rezultat i këtij projekti është revitalizuar hapësira që tash njihet si Termokiss. Në vitin 2018 kemi qenë në Tetovë ku kemi revitalizuar një hapësirë tjetër që tash njihet si ‘Social Space Tetova’, vitin e kaluar kemi qenë në Tiranë që tash është ‘Hapësira Kulturore Uzina’, ndërsa këtë vit do të shkojmë në Sarajevë ku do të revitalizojmë një hapësirë tjetër ndërsa vitin tjetër do të jemi në një qytet tjetër, e kështu me radhë.”
Në diskutimin që fillon nga ora 16:00, do të ketë shkëmbim të ideve dhe parapërgatitje për punëtori ku do të marrin pjesë edhe organizata ‘Toestand’ nga Belgjika si dhe pjesëtarë të ‘Hapësirës Kulturore Uzina’ nga Tirana e ‘SCS Tetova’. Të gjithë së bashku do të kontribuojnë në parapërgatitje për udhëtimin në Sarajevë ku do të revitalizohet një ndërtesë e braktisur, për ta shndërruar atë në një hapësirë rinore kulturore e shoqërore. Qëllimi i projektit, siç na informoi anëtari i ‘Termokiss’, Edonis Hashani, është që të rritet rrjetëzimi i organiztatave të Ballkanit që kanë për mision bazën në komunitet.