Masat e ngrohta ajrore afrikane që kanë depërtuar edhe në vendin tonë, kanë bërë që java e fundit e muajin korrik dhe fillim java e parë e muajit gusht, të karakterizohen me temperatura mbi 30 gradë Celsius. Siç ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, masat e nxehta të ajrit të ardhura nga Afrika do të mbesin prezent mbi vendin tonë edhe në këtë fillim javë, andaj kujdesi ndaj shëndetit është i domosdoshëm, mirëpo edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP), ka këshilluar për kujdes nga rrezet e diellit gjatë orëve të mesditës. Specialistja e Mjekësisë Familjare, Dr. Esma Bajrami, përmes frekuencave të Radio KFOR-it ka dërguar mesazh tek të gjithë qytetarët për kujdes të shtuar ndaj shëndetit në ditët me temperatura të larta: “Sot ajo që dua të bëj, është të dërgoj një mesazh për qytetarët, të evitojnë daljet nga ora 14:00 deri në ora 17:00, kur janë temperaturat shumë të larta. Kjo vlen sidomos për moshat mbi 65 vjeç, të sëmurët kronik dhe fëmijët. Mos dalja juaj kursen shëndetin tuaj dhe neve. Andaj ju lutemi për mirëkuptim!”
Në vijim ju paraqesim disa nga udhëzimet e IKSHP-së, se si të mbrohemi nga temperaturat e larta:
Personat e moshuar assesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10:00-17:00 , sidomos jo të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet;
Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit detyrimisht duhet ta mbrojnë kokën me kapelë ose shall;
Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës;
Duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale;
Më e rëndësishmja është mirëmbajtja e higjienës personale dhe asaj të ambientit të të moshuarit si dhe mbikëqyrja e përdorimit të barnave në mënyrë të rregullt.