Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Botë, rreth 1% e popullsisë së botës, ka çrregullime të spektrit të autizmit. Sot, me 2 prill, e gjithë bota bëhet bashkë për të ngritur vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin për autizmin, për të inkurajuar shoqëritë që të krijojnë kushte dhe hapësira për njerëzit me çrregullime të spektrit autik.
Organizata jo-qeveritare ‘Autizmi Flet’, në Prishtinë edhe pse në kohë pandemie, ka organizuar disa aktivitete virtuale, që përfshijnë diskutime televizive, video mesazhe që përçojnë mesazhin e përfshirjes dhe integrimit në shoqëri, për personat me autizëm.
Koordinatorja e qendrës ‘Autizmi Flet’ në Prishtinë, Ardita Uka, tha se pandemia ka sjellë sfida të shumta për fëmijët e prekur me autizëm: “Ne këtë vit kemi zgjedhur moton: “A t’ka pëlqy izolimi?, – pasi që ndryshimi i menjëhershëm i rutinës te fëmijët, i ka prishur ekuilibrat të cilat kanë dashur kohë, që të realizohen me terapi. Po flasim për fëmijët me spektër të autizmit, por ne jemi të vetëdijshëm se sa shumë ndikoi në përgjithësi pandemia, duke na shkaktuar stres, ankth, frikë nga izolimi dhe rregullat e shumta. Atëherë ky moment ka qenë pikërisht mundësi për ta kuptuar edhe më mirë autizmin. Izolimi tek këta fëmijë është i përditshëm, me rregulla të shumta. Të gjitha këto, shkaktojnë frikë tek këta persona ashtu siç shkaktuan tek ne.”
T’i buzëqeshim njëri-tjetrit dhe të punojmë për një shoqëri gjithë përfshirëse që pranon dhe ndihmon të gjithë njerëzit pa dallim.