Nga 23 deri më 25 tetor, në Prishtinë do të mbahet Panairi Ndërkombëtar i Agrobiznesit dhe Pijeve “AGROKOS”.
Në këtë panair parashihet të marrin pjesë mbi 130 pjesëmarrës nga Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia Veriore, Holanda, Gjermania, Sllovenia e vende të tjera.
Bekim Xhafa nga kompania CEO ka thënë për Radio KFOR-in se konsumatori kosovar ka mundësinë të njohë dhe të shijojë prodhimet bujqësore dhe blegtorale vendase, të cilat gjithnjë e më shumë po bëhen të pranishme në tregun tonë dhe atë të huaj.
“AGROKOS po shihet si mundësia më e mirë për bizneset vendore që të promovojnë produktet e tyre, si dhe është transformuar në pikëtakim të domosdoshëm i bizneseve ndërkombëtare që dëshirojnë të shtrihen në tregjet e Ballkanit. Gjithashtu pjesë e këtij panairi janë edhe kompani që merren me paketimin, ambalazhimin e produkteve bujqësore”, ka thënë Xhafa për Radio KFOR-in.
Panairi i cili do të fokusohet në sektorin e agrobiznesit dhe ushqimit, tashmë është shndërruar në urë-lidhëse ndërmjet bashkëpunimit mes bizneseve, pavarësisht nga prejardhja e tyre.
Përveç Panairit, do të ketë edhe aktivitete të ndryshme informative dhe profesionale, si: seminare, punëtori, konferenca nga ekspertë shkencor dhe profesionistë të kësaj fushe.