Mundësitë e sektorit në mbështetjen e nënave të cilat punojnë ende mbeten sfiduese në Kosovë. Për të diskutuar rreth mundësive dhe lehtësimeve të nënave që duhet të ndajnë kohën e tyre në mes të fëmijëve dhe punës, ‘Instituti për Demokraci dhe Zhvillim’, ‘Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare’ në mbështetje të zyrës së UNICEF-it në Kosovë kanë organizuar një panel diskutues për sfidat dhe mënyrat e përmirësimit në këtë aspekt.
Për të mësuar më shumë rreth këtij diskutimi, Radio KFOR-i intervistoi përfaqësuesen e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Greta Kazia e cila tregoi më shumë për këtë aktivitet:
“Nisur nga shembulli ynë ‘Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare’, ka shumicën e stafit nëna të cilat punojnë, prandaj menduam që në bashkëpunim me organizatën ‘D4D’ dhe UNICEF, të organizojmë diskutimin, për të folur më tepër rreth përkrahjes që biznesi privat ka për nënat. Në diskutim do të ketë detaje rreth politikave që ndërmerren nga panelistët, përfaqësuesit e kompanive “Gjirafa” dhe “IQ to LINK”. Për nënat të cilat punojnë është e vështirë të menaxhohet puna dhe fëmija dhe rrjedhimisht UNICEF-i në Kosovë ka programe për të shtuar më tepër këtë fokus dhe për të përkrahur nënat”.
Për fund, Greta tregoi se diskutimi do të mbahet në kafiterinë ‘Dit e Nat’ në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00. Panalistë të diskutimit do të jenë udhëheqësi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, themeluesi i organizatës ‘Gjirafa’, Mërgim Cahani dhe një përfaqësues nga organizata ‘IQ to Link’.