Të rinjtë e Kosovës, vazhdimisht dëshmojnë talentin e tyre në fusha të ndryshme të veprimtarisë. Fatlum Meholli nga Mitrovica, që nga fëmijëria ishte entuziast për pikturë, vizatim, ngjyrat dhe artin në përgjithësi dhe duke kombinuar letërsinë dhe pasionin për artin ka arritur të gërshetoj këto dy lëmi.
Arti për Fatlumin është vet jeta dhe pikturat e tij e pasqyrojnë më së miri këtë fakt. Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me të duke sjell perspektivën e tij për artin:
“Arti është pjesë e pandashme e të gjithë njerëzve, jo vetëm e artistëve. Them kështu sepse arti është shumë i gjerë; përveç artit vizual, gjegjësisht artit dy-dimensional, siç janë pikturat, vizatimet e ndryshme, arti përfshin edhe ndërtesat arkitektonike, statujat, muzikën e mirëfilltë. Madje, duhet përmendur edhe artin fisnik të dramaturgjisë që rrënjët i ka qysh nga Greqia antike. Ndërkaq, për mua, letërsia cilësohet si embrioni i të gjitha arteve, sepse qysh nga lashtësia njerëzimi i ndikuar nga mitet e popujve të ndryshëm mbi perënditë, heronjtë etj., krijoi forma të përsosura të gdhendura në gur, pikturoi e kështu me radhë. Pra, filluan të zhvillohen në masë të madhe artet vizuale dhe jo vetëm. Ndonëse për një kohë të gjatë artin vizual e kam pasur vetëm si pasion, kërkesat e herë pas hershme për punime me porosi kanë ndikuar që arti në njëfarë mënyre të shndërrohet në profesion”.
Piktura e tij e preferuar deri më tani është portreti i basketbollistit të famshëm Kobe Bryant, pasi si fëmijë Fatlumi e përcillte vazhdimisht dhe vdekja e tij tragjike ishte shtysë të krijonte këtë portret unik që mbetet i preferuari i tij.
Fatlumi ndau edhe një mesazh domethënës për të gjithë të rinjtë duke porositur të gjithë artdashësit të mos dorëzohen dhe të mos heqin dorë nga pasioni për artin:
“Artistët e rinj kosovarë duhet ta kenë parasysh që arti vizual në Kosovë nuk vlerësohet sa duhet, sidomos ata artistë që i përkasin teknikave si abstraktja, surrealizmi etj., do ta kenë shumë të vështirë që t’i shesin punimet e tyre. Mendësia kosovare nuk është pjekur kulturalisht aq sa t’i vlerësojë si duhet punimet artistike. Sidoqoftë, të rinjtë nuk duhet të zhgënjehen dhe të heqin dorë nga arti, sepse siç thotë edhe artisti i famshëm spanjoll Pablo Picasso ‘arti pastron nga shpirti pluhurin e jetës së përditshme’. Pra, artistët e rinj duhet ta bëjnë artin pjesë të pandashme të jetës, pavarësisht nëse përfitimet nuk janë të mëdha”.
Fatlumi përgjatë viteve, ka ndjekur aktivitete të ndryshme, që kanë ndikuar në formimin kulturor, zgjerimin e shoqërisë dhe aspekte të tjera që e bëjnë atë një artist të formuar dhe të suksesshëm. Për të ndjekur punimet e tij të veçanta artistike ndjekeni faqen e tij në Instagram: fatlumartwork.