Mosha që konsiderohet tinejxherë, jo rastësisht thuhet që është mosha më e ndjeshme, andaj edhe tinejxherët vazhdimisht janë në fokusin e ekspertëve.
Për të kuptuar se si mund dhe duhet të qasemi ndaj një fëmijë të kësaj moshe, Radio KFOR- i ka pyetur Psikologen dhe Terapisten Stimuluese, në Ambulancën Specialistike të Psikologjisë Klinike “Visar A. Sadiku B.I”, Vlora Fejza, e cila këshilloi prindërit: “Nuk është çudi që në shumicën e rasteve fëmija juaj tinejxher, nuk flet me ju për gjërat e rëndësishme që ndodhin në jetën e tyre . Arsyeja është frika nga reagimi i ashpër, për çështje të ndryshme të cilat në sytë e juaj mund të jenë të pa pranueshme ose të pa këndshme, por që fëmijët tuaj do të dëshironin që ti ndajnë me ju . Nxiteni fëmijën tuaj të flasë me ju për gjithçka që i intereson. Është shumë me rëndësi që të ndani kohë nga koha juaj, të jeni të qetë të keni durim dhe të bëheni dëgjues i mirë për fëmijët tuaj. Mundohuni ta krijoni një strategji duke i treguar qartë dhe thjeshtë fëmijës tuaj, për gjërat të cilat mund ndonjëherë të jenë dhe sfiduese në jetën e tyre. Shmangni fjalët e panevojshme dhe mundohuni që ti mbështesni në çdo vendim që ata marrin.”
Respektoni këshillat e psikologes Fejza dhe mos harroni që është çështje momenti që kalon, ashtu sikurse kalon edhe periudha e të qenit tinejxherë, tek e fundit askush nuk është rritur pa e kaluar këtë moshë.